Shqipëria si destinacion në rritje: 12.4 mln turistë dhe 4.4 mld euro të ardhura në 2025
Viti 2025 shënoi rekord historik për turizmin shqiptar me rritje të vizitorëve dhe të ardhurave.
Statistikat zyrtare të Ministrisë së Turizmit për vitin 2025 konfirmojnë një tjetër vit rekord për sektorin, duke reflektuar rritjen e fortë të flukseve turistike dhe përmirësimin e standardeve në të gjithë zinxhirin e ofertës turistike. Gjatë vitit 2025, Shqipëria u vizitua nga 12,466,038 turistë të huaj, me një rritje prej 6,6 për qind krahasuar me vitin 2024, ose 769,960 vizitorë më shumë në terma absolutë, duke dëshmuar vazhdimësinë e interesit ndërkombëtar për vendin si destinacion.
Të dhënat sipas origjinës tregojnë se 4,662,571 vizitorë nga Kosova hynë në Shqipëri gjatë vitit 2025, me një rritje vjetore prej 5,3 për qind. Flukse të konsiderueshme u regjistruan edhe nga vendet fqinje dhe rajoni, ku nga Italia u shënuan 1,292,560 vizitorë me rritje 3,3 për qind, nga Maqedonia e Veriut 932,555 vizitorë me rritje 3,7 për qind, nga Mali i Zi 781,813 vizitorë me rritje 2,5 për qind dhe nga Greqia 803,979 vizitorë, me rritje të ndjeshme prej 9,6 për qind.
Zgjerimi i tregjeve ndërkombëtare
Rritje të forta u shënuan edhe nga tregjet e Bashkimit Evropian, duke reflektuar zgjerimin e profilit ndërkombëtar të turizmit shqiptar. Nga Gjermania u regjistruan 452,853 vizitorë, me rritje 20,9 për qind, nga Mbretëria e Bashkuar 932,555 vizitorë me rritje 21,6 për qind, nga Franca 781,813 vizitorë me rritje 37 për qind dhe nga Holanda 803,979 vizitorë, ose 9,4 për qind më shumë se një vit më parë. Edhe segmenti transatlantik vijoi trend pozitiv, me 241,064 vizitorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 44,320 vizitorë nga Kanadaja gjatë vitit 2025.
Të ardhurat dhe infrastruktura turistike
Kjo rritje e flukseve turistike u reflektua drejtpërdrejt në performancën ekonomike të sektorit. Të ardhurat nga turizmi për nëntëmujorin e vitit 2025 arritën në 4,4 miliardë euro, me një rritje prej 14,5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Paralelisht me rritjen e kërkesës, infrastruktura dhe menaxhimi i hapësirave publike u zgjeruan ndjeshëm, duke përfshirë 1,014 parcela publike për sezonin 2025, ose 94 për qind më shumë se një vit më parë, si dhe një zgjerim prej 1,1 milion metra katrorë plazhe publike, me rritje 17,4 për qind krahasuar me 2024.
Përmirësimi i standardeve dhe certifikimeve
Statistikat e vitit 2025 tregojnë gjithashtu progres të dukshëm në certifikime dhe akreditime, që reflektojnë rritjen e profesionalizmit në sektor. Gjatë vitit u shënua një rritje prej 16,2 për qind e certifikatave të kategorizimit për strukturat akomoduese, si dhe 27,3 për qind më shumë klasifikime me 4 dhe 5 yje. U regjistrua rritje e proceseve të certifikimit dhe rinovimit të brand-name, si dhe një rritje prej 42,6 për qind në certifikimin e operatorëve të turizmit detar.
Po ashtu, 34,4 për qind më shumë subjekte u pajisën me certifikata “Udhërrëfyes Turistik”, ndërsa akreditimi i programeve të kualifikimit u rrit me 33,3 për qind. Në segmentin e agroturizmit, certifikatat në fazë projektimi u rritën me 39,2 për qind, ndërsa certifikimet operative shënuan një rritje prej 13,5 për qind krahasuar me vitin 2024.
Burimi: Ekofin.al
Më të lexuarat






